“Blindohet” Vlora/ Mbi 200 policë “zbarkojnë” në Triport – Merren masa para protestës kundër TEC-eve lundruese

Vlora është vendosur nën masa të forta sigurie këtë të shtunë në mëngjes, në prag të protestës së paralajmëruar nga përfaqësues të shoqërisë civile kundër instalimit të TEC-eve lundruese në zonën e Triportit.

Në qytet janë dislokuar mbi 200 efektivë policie, të cilët janë shpërndarë në pika të ndryshme strategjike. Në terren ndodhen forca të Policisë së Rendit, Njësisë Speciale “Shqiponja”, Forcave “Delta”, si dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, të sjella përforcim nga Tirana dhe Shkodra.

Sipas autoriteteve, masat janë marrë për të garantuar rendin publik dhe për të shmangur çdo incident të mundshëm gjatë zhvillimit të tubimit, i cili pritet të mbahet gjatë paradites. Protesta është thirrur nga aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kundërshtojnë projektin e vendosjes së TEC-eve lundruese në zonën bregdetare të Triportit, duke ngritur shqetësime për ndikimin mjedisor dhe turistik të tij.

Deri në këto momente, situata në qytet dhe në zonën e protestës paraqitet e qetë, ndërsa forcat e rendit vijojnë monitorimin e vazhdueshëm të lëvizjeve në terren.