“Dështon” protesta në Triport – Vlonjatët nuk i bashkohen thirrjes së aktivistëve përntubim kundër TEC-eve lundruese

Protesta e thirrur nga përfaqësues të shoqërisë civile në zonën e Triportit në Vlorë nuk ka arritur të mbledhë mbështetjen e pritur nga qytetarët, duke rezultuar me pjesëmarrje shumë të ulët.

Tubimi ishte paralajmëruar më herët në rrjetet sociale dhe kishte në fokus kundërshtimin e rrethimit të zonës si dhe vendosjen e dy TEC-eve lundruese në këtë hapësirë bregdetare.

Për shkak të rëndësisë së objektit dhe ndjeshmërisë së situatës, zona ishte vendosur nën masa sigurie, me prani të shtuar të Policisë së Vlorës dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilat monitoruan nga afër zhvillimin e protestës.

Megjithatë, pavarësisht thirrjeve publike, në tubim morën pjesë rreth 15 persona. Protestuesit mbanin pankarta dhe kërkonin dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, si pjesë e qëndrimeve të tyre kundërshtuese.

Protesta zgjati rreth 30 minuta dhe u mbyll pa incidente, ndërsa pjesëmarrja e ulët u vu në dukje si një nga elementët kryesorë të zhvillimit të saj.