Masakër në Romë/ Shuhet familja me 3 anëtarë – Gjenden të vrarë në banesë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur periferinë perëndimore të Romës, ku një çift bashkëshortësh dhe vajza e tyre 8-vjeçare janë gjetur të vrarë me thikë brenda banesës së tyre në zonën Casalotti. Djali 20-vjeçar i familjes ka mbijetuar me plagë dhe po trajtohet në spital.

Sipas autoriteteve italiane, viktimat janë një familje me origjinë nga Bangladeshi: babai 39 vjeç, nëna 38 vjeçe dhe vajza e mitur. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në mbrëmje, pasi fqinjët raportuan britma nga apartamenti dhe panë një person që largohej me nxitim nga vendi i krimit.

Policia ka identifikuar një mik të 20-vjeçarit si të dyshuar kryesor dhe e ka shpallur në kërkim, ndërsa dyshohet se ai mund të ketë pasur lidhje të mëparshme me familjen. Hetuesit po punojnë me kamerat e sigurisë dhe dëshmitë e fqinjëve për të rindërtuar plotësisht dinamikën e ngjarjes.

Djali i mbijetuar është marrë në pyetje në spital, ndërsa autoritetet nuk përjashtojnë asnjë pistë, përfshirë edhe një konflikt të papritur që mund të ketë degjeneruar në tragjedi. Policia italiane vijon kërkimet intensive në të gjithë zonën e Romës dhe rrethinat për kapjen e autorit të dyshuar.