Agjentë të Gardës Civile spanjolle kanë kryer mëngjesin e sotëm një operacion në selinë qendrore të Partisë Socialiste Punëtore Spanjolle (PSOE) në Madrid, në kuadër të një hetimi që lidhet me dyshime për financim të paligjshëm të partisë në pushtet.
Sipas mediave spanjolle, ndërhyrja është realizuar nga Njësia Qendrore Operative (UCO), struktura elitare kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit, me urdhër të Gjykatës Kombëtare (Audiencia Nacional). Hetuesit kanë kërkuar dokumente dhe materiale financiare që dyshohet se lidhen me pagesa në para cash dhe menaxhimin e shpenzimeve të brendshme të partisë gjatë periudhës 2017–2024.
Operacioni është zhvilluar në një moment të ndjeshëm politik për kryeministrin Pedro Sánchez, i cili ndodhej në Romë për një vizitë zyrtare dhe takim me Papa Leon XIV në Vatikan.
Pas publikimit të lajmit, Sánchez ka reaguar duke theksuar se Partia Socialiste do të bashkëpunojë plotësisht me drejtësinë dhe se nuk ka asgjë për të fshehur.
“Nuk dua të nënvlerësoj seriozitetin e hetimit që po zhvillohet në Gjykatën Kombëtare. PSOE nuk ka asgjë për të fshehur dhe do të jetë plotësisht transparente”, u shpreh kryeministri spanjoll.
Ai shtoi se deri më tani nuk ka informacion për përfshirje të zyrtarëve të lartë të partisë në shkelje të mundshme, ndërsa theksoi se hetimi nuk ndikon në punën e qeverisë dhe në agjendën e saj politike dhe sociale.
Sipas raportimeve të mediave si “El Confidencial”, hetimi po fokusohet në mënyrën e financimit të brendshëm të partisë dhe përdorimin e pagesave cash për shpenzime operative dhe administrative të strukturave të saj.
Autoritetet spanjolle pritet të vijojnë mbledhjen e provave dhe analizimin e dokumentacionit të sekuestruar, ndërsa çështja ka shkaktuar jehonë të madhe në skenën politike të vendit.









