Ish-kryeministri grek Aleksis Tsipras është rikthyer në skenën politike me një formacion të ri, duke synuar të sfidojë qeverinë e kryeministrit Kiriakos Mitsotakis në zgjedhjet parlamentare të vitit 2027.
Tsipras, i cili u tërhoq nga drejtimi i partisë Syriza pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2023, ka prezantuar projektin e tij të ri politik nën emrin “ELAS” (Aleanca e Majtë Greke), gjatë një aktiviteti të zhvilluar në sfondin simbolik të Akropolit në Athinë.
Në fjalimin e tij para mbështetësve, ai paraqiti programin politik dhe shtatë shtyllat kryesore të platformës së re, ku në qendër vendoset lufta kundër korrupsionit, forcimi i shtetit social dhe reformimi i institucioneve.
Tsipras deklaroi se Greqia ndodhet në një fazë të vështirë politike dhe sociale, duke akuzuar elitën qeverisëse për abuzim me pushtetin dhe pasuri publike.
“Shteti ka rënë në duart e një kaste që e trajton si plaçkë. Spekulimi, korrupsioni dhe bashkëpunimi janë kthyer në rregullat e pasurimit dhe të pushtetit në Greqinë e sotme. Drejtësia dhe ndershmëria janë nën presion, ndërsa demokracia po kufizohet. Vendit i duhet një vizion i ri dhe një plan demokratik për shekullin XXI”, u shpreh Tsipras.
Ai premtoi gjithashtu forcimin e institucioneve demokratike, një ekonomi më të qëndrueshme dhe një shtet social me akses më të gjerë në shëndetësi, arsim dhe strehim social për qytetarët.
Në fushën e politikës së jashtme, ish-kryeministri grek kërkoi një Greqi më aktive diplomatikisht dhe të angazhuar në nisma paqeje në rajon.
Rikthimi i Tsipras vjen në një moment kur sondazhet e fundit në Greqi e rendisin formacionin e tij të ri si forcë të dytë politike, duke e shndërruar atë në një nga sfiduesit kryesorë të pushtetit aktual, megjithëse figura e tij vijon të mbetet e lidhur nga një pjesë e opinionit publik me krizën ekonomike të vitit 2015.









