Alarmi për Ebolën/ SHBA planifikon qendër karantine në Kenia – Rubio: Nuk do lejojmë asnjë rast të hyjë në Amerikë

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar masa të forta për të parandaluar hyrjen e virusit Ebola në territorin amerikan, ndërsa po shqyrtojnë ngritjen e një qendre karantine në Kenia për përballimin e rasteve të dyshuara apo të konfirmuara me virusin vdekjeprurës.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi gjatë një mbledhjeje të kabinetit të thirrur nga presidenti Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë se administrata amerikane nuk do të tolerojë asnjë rrezik që lidhet me përhapjen e Ebolës drejt SHBA-së.

“Ne nuk mund dhe nuk do të lejojmë asnjë rast të vetëm të Ebolës të hyjë në Shtetet e Bashkuara”, u shpreh Rubio, duke theksuar se autoritetet amerikane po punojnë intensivisht për të frenuar përhapjen e virusit në Afrikë, veçanërisht në Republikën Demokratike të Kongos, ku situata konsiderohet shqetësuese.

Sipas tij, SHBA po bashkëpunon me autoritetet lokale dhe partnerët ndërkombëtarë për monitorimin e rasteve të dyshuara, me qëllim identifikimin dhe izolimin e personave të infektuar përpara se ata të mund të udhëtojnë drejt Amerikës.

Ndërkohë, mediat amerikane raportojnë se Uashingtoni po përgatitet të hapë një qendër të posaçme karantine në Kenia, e cila do të përdoret kryesisht për qytetarët amerikanë ose personelin ndërkombëtar që duhet të largohet me urgjencë nga Republika Demokratike e Kongos.

Sipas një zyrtari amerikan, qendra do të ofrojë trajtim dhe izolim në kushte të sigurta, duke shmangur rrezikun e transportimit të pacientëve potencialisht të infektuar drejt territorit amerikan.

“Objektivi është që amerikanët që largohen nga zonat e prekura të marrin kujdes cilësor dhe të qëndrojnë në karantinë pranë rajonit të krizës, pa qenë nevoja të udhëtojnë drejt SHBA-së”, deklaroi zyrtari për mediat amerikane.

Autoritetet shëndetësore ndërkombëtare vijojnë të monitorojnë me shqetësim situatën në Republikën Demokratike të Kongos, ndërsa frika për përhapjen ndërkombëtare të virusit ka shtyrë disa vende të rrisin kontrollet kufitare dhe masat e sigurisë shëndetësore.