Trump paralajmëron Iranin: Nuk do lejojmë uraniumin të shkojë në Rusi apo Kinë

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk do të pranojnë që rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit të transferohen në Rusi apo Kinë, duke e cilësuar një skenar të tillë si të papranueshëm për sigurinë ndërkombëtare.

Gjatë një mbledhjeje të kabinetit qeveritar në Uashington, Trump u shpreh se nuk do të ndihej aspak rehat nëse Moska ose Pekini do të merrnin në kontroll materialet bërthamore iraniane, në një kohë kur tensionet mbi programin atomik të Teheranit vijojnë të mbeten të larta.

Presidenti amerikan theksoi se administrata e tij nuk do të pranonte kurrë një marrëveshje që, sipas tij, do t’i jepte Iranit mundësinë të afrohej me prodhimin e armëve bërthamore.

“Ne nuk do të lejojmë një marrëveshje të keqe dhe nuk do të pranojmë kurrë që Irani të ketë armë bërthamore”, deklaroi Trump para kabinetit.

Deklaratat e tij vijnë në një moment tensionesh të shtuara mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa SHBA-ja vijon presionin diplomatik dhe ushtarak ndaj Iranit për programin e tij bërthamor dhe aktivitetet në Lindjen e Mesme.