Ferrari ka prezantuar makinën e saj të parë plotësisht elektrike, të quajtur “Ferrari Luce”, gjatë një takimi të veçantë me Papa Leon XIV në Castel Gandolfo, më 26 maj.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe presidenti i kompanisë Ferrari, John Elkann, si dhe drejtues dhe inxhinierë të lartë të markës italiane. Gjatë vizitës, Papa Leo XIV e pa nga afër automjetin e ri, u ul në vendin e shoferit dhe ndoqi një demonstrim teknik nga piloti testues i Ferrarit, Raffaele De Simone, i cili shpjegoi funksionet dhe teknologjinë e makinës.
Pamjet e publikuara nga Vatikani tregojnë Atin e Shenjtë duke mbajtur timonin e automjetit dhe duke u fotografuar me ekipin teknik të Ferrarit. Në shenjë simbolike, drejtuesit e kompanisë i dhuruan Papës timonin e makinës.
Sipas të dhënave të Ferrarit, modeli “Luce” është i pajisur me katër motorë elektrikë, një për çdo rrotë, dhe zhvillon deri në 1,040 kuaj fuqi. Supermakina arrin përshpejtimin 0–100 km/orë në vetëm 2.5 sekonda dhe ka një autonomi deri në 530 kilometra.
Projekti është zhvilluar në bashkëpunim me studion krijuese “LoveFrom”, e themeluar nga ish-dizajneri i Apple, Jony Ive. Ferrari pritet ta hedhë modelin në treg me një çmim rreth 550 mijë euro, duke shënuar hyrjen e tij në segmentin e supermakinave elektrike.









