Policia antikorrupsion në Spanjë ka kryer një bastisje në selinë qendrore të Partisë Socialiste në Madrid, forcë politike e drejtuar nga kryeministri Pedro Sánchez, në kuadër të një hetimi për financim të dyshuar të paligjshëm.
Sipas mediave spanjolle, operacioni u zhvillua nga Njësia Qendrore Operative (UCO) e Gardës Civile, një njësi elitare hetimore, e cila ka sekuestruar prova të lidhura me një dosje që po heton mënyrën e financimit të partisë në pushtet.
Ky zhvillim vjen vetëm pak ditë pas një tjetër skandali të bujshëm në Spanjë, ku Gjykata Kombëtare ngriti akuza ndaj ish-kryeministrit José Luis Rodríguez Zapatero për pastrim parash dhe abuzim me ndikim, në lidhje me një operacion financiar të vitit 2021 që përfshinte shpëtimin e kompanisë ajrore “Plus Ultra”.
Ndërkohë, edhe rrethi familjar i kryeministrit Sánchez është përfshirë në hetime, pasi bashkëshortja dhe vëllai i tij po përballen me akuza për trafik influence, të cilat ata i kanë mohuar kategorikisht.
Situata politike në Madrid është bërë gjithnjë e më e tensionuar. Kreu i Partisë Nacionaliste Baske, Aitor Esteban, ka kërkuar që kryeministri të thërrasë zgjedhje të parakohshme, duke deklaruar se mbajtja e qeverisë deri në fund të mandatit në vitin 2027 do të ishte shumë e vështirë në këto rrethana politike dhe hetimore.









