Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe presidenti i Kinës, Xi Jinping, zhvilluan një takim të nivelit të lartë në Pekin, në përpjekje për të stabilizuar marrëdhëniet mes dy superfuqive botërore, të tensionuara nga lufta tregtare, çështja e Tajvanit dhe konflikti me Iranin.
Trump u prit me ceremoni madhështore në Sallën e Madhe të Popullit në Pekin, ku dy liderët shkëmbyen duarshtrëngime dhe deklarata miqësore përpara nisjes së bisedimeve dypalëshe.
“Është një nder të jem miku juaj. Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kinës do të jenë më të mira se kurrë më parë”, deklaroi Trump gjatë takimit.
Nga ana tjetër, Xi theksoi se Pekini dhe Uashingtoni duhet të bashkëpunojnë dhe jo të hyjnë në përballje direkte.
“Një marrëdhënie e qëndrueshme Kinë-SHBA është një bekim për botën. Bashkëpunimi u sjell dobi të dyja palëve, ndërsa konfrontimi i dëmton të dyja”, u shpreh lideri kinez.
Takimi zhvillohet në një moment delikat për marrëdhëniet mes dy vendeve, ndërsa temat kryesore të diskutimit mbeten tregtia, lufta në Lindjen e Mesme dhe tensionet rreth Tajvanit.
Trump pritet të kërkojë marrëveshje të reja ekonomike me Pekinin, përfshirë rritjen e importeve kineze të produkteve bujqësore dhe avionëve amerikanë. Lufta tregtare mes dy ekonomive më të mëdha të botës ka shkaktuar goditje të forta në tregjet globale dhe ka detyruar kompanitë ndërkombëtare të riorganizojnë zinxhirët e furnizimit.
Një tjetër çështje e nxehtë është edhe Irani. Trump ka paralajmëruar se do të zhvillojë një “bisedë të gjatë” me Xi për rolin e Kinës në blerjen e naftës iraniane dhe ndikimin që Pekini mund të ketë mbi Teheranin në negociatat me Uashingtonin.
Ndërkohë, Xi pritet të ngrejë shqetësimin për vendimin amerikan për shitjen e armëve Tajvanit, një veprim që Kina e konsideron provokim serioz. Uashingtoni ka miratuar paketa armësh me vlerë mbi 10 miliardë dollarë për ishullin vetëqeverisës, të cilin Pekini e konsideron pjesë të territorit të tij.
Vizita e Trump në Pekin është e para e një presidenti amerikan që prej vitit 2017, kur ai vizitoi Kinën gjatë mandatit të tij të parë. Në delegacionin amerikan marrin pjesë edhe figura të njohura të biznesit amerikan, mes tyre Elon Musk, Jensen Huang dhe Tim Cook.
Në axhendën e vizitës përfshihen gjithashtu një banket shtetëror dhe vizita në Tempullin historik të Qiellit, një nga monumentet më të rëndësishme kulturore të Kinës.









