Xi paralajmëron Trump për Tajvanin: Një gabim mund të çojë në konflikt të rrezikshëm

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka paralajmëruar homologun amerikan Donald Trump se çështja e Tajvanit mbetet pika më e ndjeshme në marrëdhëniet mes Pekinit dhe Uashingtonit dhe se çdo menaxhim i gabuar i saj mund të çojë në një situatë “jashtëzakonisht të rrezikshme”.

Deklarata u bë gjatë samitit dy-ditor në Pekin, ku dy liderët po përpiqen të stabilizojnë marrëdhëniet mes dy ekonomive më të mëdha në botë, mes tensioneve për tregtinë, Iranin dhe sigurinë në Azi.

Sipas agjencisë shtetërore kineze Xinhua, Xi i tha Trump se marrëdhëniet e qëndrueshme mes SHBA-së dhe Kinës janë në interes të gjithë botës.

“Kur bashkëpunojmë, të dyja palët përfitojnë; kur përballemi me njëra-tjetrën, të dyja palët vuajnë”, deklaroi lideri kinez.

Trump iu përgjigj me tone miqësore, duke e cilësuar Xi-në “një udhëheqës të shkëlqyer” dhe duke shtuar se takimi mund të konsiderohet “samiti më i madh ndonjëherë”.

Pas ceremonisë zyrtare në Sallën e Madhe të Popullit, dy liderët zhvilluan bisedime me dyer të mbyllura për më shumë se dy orë. Xi deklaroi se negociatat tregtare mes ekipeve amerikane dhe kineze kishin sjellë rezultate “pozitive dhe të balancuara”, ndërsa të dyja palët synojnë të ruajnë armëpushimin tregtar të arritur muajt e fundit.

Megjithatë, tema më delikate mbetet Tajvani. Kina e konsideron ishullin pjesë të territorit të saj, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë ta mbështesin dhe ta armatosin atë.

Paralajmërimi i Xi-së vjen në një moment tensionesh të larta në rajonin Azi-Paqësor, ku çdo lëvizje për Tajvanin shihet nga Pekini si vijë e kuqe për sigurinë kombëtare kineze.