Tragjedi në Tiranë/ Motori përplas për vdekje babanë e ministres Adea Pirdeni – Humb jetën në spital

Një aksident fatal është regjistruar mbrëmjen e kësaj të enjteje në Tiranë, ku ka humbur jetën babai i ministres Adea Pirdeni.

Sipas informacioneve paraprake, viktima po lëvizte me biçikletë në momentin kur është përplasur nga një motor që drejtohej nga një 31-vjeçar. Për shkak të plagëve të marra, ai është transportuar me urgjencë në spital, por nuk ka mundur të mbijetojë.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit fatal.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan shtetasin S. M., 31 vjeç, pasi në kryqëzimin e rrugës “Bardhyl” me rrugën “Kongresi i Manastirit”, duke drejtuar motomjetin, është përplasur me biçikletën me të cilën lëvizte shtetasi L. P., 87 vjeç.

Si pasojë e aksidentit, 87-vjeçari ka humbur jetën në spital.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.