Mjeku infeksionist Arjan Harxhi ka ngritur alarmin se variantit Andes i Hantavirusit mund të sjellë raste të tjera infektimesh në Europë, për shkak të periudhës së gjatë të inkubacionit që zgjat deri në 6 javë.
Sipas Harxhiut, pas rasteve të konfirmuara në Itali, Francë, Angli dhe Zvicër, zinxhiri i transmetimit ende nuk konsiderohet i mbyllur, çka do të thotë se në ditët apo javët në vijim mund të identifikohen persona të tjerë të prekur.
“Do të kemi raste të tjera sepse nuk është mbyllur cikli. Ka një periudhë të gjatë inkubacioni deri në 6 javë”, deklaroi ai.
Duke komentuar rrezikun për Shqipërinë, infeksionisti theksoi se vendi ynë nuk mund të konsiderohet jashtë hartës së riskut, sidomos duke pasur parasysh lëvizjet ndërkufitare në rajon. Ai përmendi faktin se në një nga rastet e raportuara ka qenë i përfshirë edhe një shtetas nga Mali i Zi.
Harxhi shpjegoi se Hantavirusi transmetohet zakonisht nga minjtë tek njerëzit, ndërsa varianti Andes është i vetmi që mund të përhapet edhe nga njeriu tek njeriu, megjithëse në mënyrë shumë më të kufizuar krahasuar me Covid-19. Sipas tij, transmetimi ndodh kryesisht në kontakte të afërta dhe qëndrime të gjata në ambiente të mbyllura.
Megjithatë, mjeku apeloi për qetësi, duke theksuar se nuk ka vend për panik. Ai paralajmëroi se krahas virusit po përhapet edhe “infodemia”, pra dezinformimi dhe frika e ekzagjeruar që krijon pasiguri tek qytetarët.









