Deputetja socialiste pranon kontaktet Balla-Bardhi – Milva Ekonomi: Ka pasur komunikime mes të dyve

Deputetja e Partia Socialiste e Shqipërisë, Milva Ekonomi, ka pranuar se ka pasur bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës për miratimin e rezolutës për integrimin europian, e cila u votua me 114 vota pro në Kuvend.

Gjatë një interviste në emisionin “Përballë Lajmit” në Klan News, Ekonomi komentoi edhe raportimet për kontakte mes drejtuesve të grupeve parlamentare, duke lënë të kuptohet se komunikimet mes Taulant Balla dhe Gazment Bardhi kanë ekzistuar në prag të votimit.

Pjesë nga biseda:

Milva EkonomiKy është një moment shumë i rëndësishëm për parlamentin dhe miratimi i rezolutës me 114 vota pro tregon që grupi politik shqiptar, Kuvendi i Shqipërisë, ku përfshihen të dyja partitë, janë gati me një rezolutë që e nxisin veten e tyre, qeverinë, gjithë shoqërinë shqiptare, që ta konsiderojë prioritet gjithë punën që të hyjë Shqipëria në BE. Dhe këtu angazhohemi me disa nga detyrat që lindin nga negociatat që janë bërë më parë me BE-në, lidhur me ato piketa negocimi për të cilat qeveria po punon. Pra, ne kemi shprehur vullnetin e plotë të atyre që përfaqësojmë, që procesi i integrimit europian është një proces i pakthyeshëm, që shoqëria jonë duhet të bëhet gati për një transformim të thellë, dhe që ky transformim duhet të bazohet në administratë me standarde, duhet të bazohet në një ekonomi tregu me standarde, duhet të bazohet në mirëqeverisje, duhet të bazohet në veprimin e fuqisë së ligjit.

GazetarijZonja Ekonomi, përfaqësues të Partisë Demokratike thanë nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë se 90% e këtyre propozimeve kanë qenë si kontribut i PD-së, çka sipas tyre tregon se kur PD-ja nuk përjashtohet, atëherë Kuvendi ka rezultate dhe ka punë të mira. Kjo është e vërtetë? Pjesa më e madhe e propozimeve janë të opozitës?

Milva EkonomiRezoluta është punë e përbashkët që kanë bërë të gjithë anëtarët e Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme. Dhe padyshim që në atë komision janë të ulur përfaqësues të pozitës dhe opozitës dhe kanë qenë shumë të vlefshme opinionet që kanë sjellë deputetët e opozitës. Janë konsideruar, sepse ky është një akt i rëndësishëm i Kuvendit, është akt i rëndësishëm kur Shqipëria po avancon në zbatimin e të gjithë planit të punës për negociatat. Po, është e vërtetë, ka qenë punë bashkëpunuese midis pozitës dhe opozitës.

GazetariZonja Ekonomi, a jeni ju në dijeni se fakti që u miratua me bashkësinë e të gjitha palëve politike kjo projekt-rezolutë ka ardhur për shkak të një telefonate në orët e vona të mbrëmjes mes dy kryetarëve të grupeve, Gazment Bardhi dhe Taulant Balla?

Milva EkonomiUnë nuk përjashtoj që dy kryetarët e grupeve të bëjnë telefonata me njëri-tjetrin, sepse ky është një proces i vazhdueshëm. Kryetarët e grupeve komunikojnë edhe në mënyrë të hapur, por komunikojnë edhe për çështje pune, sikurse komunikojnë edhe në Byro, edhe në Konferencën e Kryetarëve, kështu që përgatitja e mbledhjes së Kuvendit është padyshim një moment ku janë të rëndësishme të gjitha ngjarjet që ndodhin dhe, siç e thamë në krye të herës, ky është një moment shumë i rëndësishëm. Rezoluta që bën Kuvendi i Shqipërisë për procesin e integrimit, për raportin e KE-së, është padyshim një moment i rëndësishëm, kështu që mënyra se si zgjidhet e organizohet puna, janë të gjitha të hapura.

GazetariZonja Ekonomi, a duhet t’i kërkoni falje PD-së që e keni akuzuar se ka sharë Shqipërinë në gjuhë të huaj dhe është kundër procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndërkohë që me votat pro kësaj rezolute, të paktën sot dëshmoi të kundërtën?

Milva EkonomiTani historia nuk zhbëhet më, ajo që ka ndodhur në të shkuarën, ka ndodhur në të shkuarën.