Një aksident i rëndë rrugor ka tronditur qytetin e Oakland-it në Kaliforni, ku tre persona kanë humbur jetën dhe tre të tjerë kanë mbetur të plagosur pasi një automjet përplasi një grup këmbësorësh në një kryqëzim të frekuentuar.
Ngjarja ndodhi rreth orës 23:15 në kryqëzimin e International Boulevard me 85th Avenue, një zonë e njohur për trafikun e dendur dhe lëvizjen e këmbësorëve.
Shërbimet zjarrfikëse të Oakland-it konfirmuan se tre viktima u shpallën të vdekur në vendngjarje, ndërsa tre persona të tjerë u transportuan me urgjencë në spital. Dy prej të plagosurve ndodhen në gjendje kritike për jetën.
Sipas autoriteteve lokale, drejtuesi i automjetit dyshohet të jetë një i mitur, i cili po lëvizte me shpejtësi të lartë dhe në mënyrë të pakontrolluar. Fillimisht, automjeti ka goditur një makinë të parkuar, përpara se të përfundonte në trotuar, duke përplasur këmbësorët që ndodheshin aty pranë.
Pas aksidentit, i mituri dyshohet se ka tentuar të largohej nga vendngjarja, por është ndaluar menjëherë nga dëshmitarët që ndërhynë deri në mbërritjen e policisë.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa identitetet e viktimave nuk janë bërë ende publike.









