Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj Iranit, duke deklaruar se vendi mund të përballet me “kohë shumë të vështira” nëse nuk arrihet një marrëveshje për zgjidhjen e tensioneve mes palëve.
Në një intervistë për transmetuesin francez BFMTV, Trump u shpreh se Teherani ka interes të arrijë një marrëveshje, por theksoi se nuk është i sigurt nëse kjo mund të ndodhë në një afat të afërt.
“Nuk kam asnjë ide. Nëse nuk e bëjnë, do të kalojnë një kohë shumë të keqe”, deklaroi ai, duke rritur tonin e paralajmërimeve ndaj Iranit.
Deklaratat vijnë në një moment tensionesh të shtuara në Lindjen e Mesme, ndërsa media ndërkombëtare, përfshirë The New York Times, kanë raportuar se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli po shqyrtojnë skenarë të mundshëm ushtarakë ndaj Iranit, pas një periudhe të brishtë armëpushimi të arritur më herët.
Më herët, Trump kishte publikuar edhe një imazh të gjeneruar me inteligjencë artificiale në platformën e tij “Truth Social”, ku shfaqej mesazhi paralajmërues “qetësia para stuhisë”, duke nxitur reagime të shumta në arenën ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka deklaruar se mes Teheranit dhe Uashingtonit ekziston një klimë e thellë mosbesimi dhe një ngërç në negociata, veçanërisht për çështjen e programit bërthamor iranian.
Sipas tij, bisedimet aktualisht nuk janë në zhvillim, por mund të rifillojnë vetëm nëse palët tregojnë gatishmëri reale për një marrëveshje të drejtë dhe të balancuar.









