Alarm për sigurinë në shkolla! Policia nis kontrolle të befasishme kundër drogës dhe armëve të ftohta

Drejtori i Përgjithshëm i Policia e Shtetit, Skënder Hita, ka dhënë urdhër për masa të menjëhershme në të gjitha drejtoritë vendore dhe komisariatet e vendit, me fokus forcimin e sigurisë në shkolla dhe goditjen e fenomeneve të shpërndarjes së drogës dhe mbajtjes së armëve të ftohta në ambientet arsimore.

Përmes një telegrami zyrtar të shpërndarë në strukturat policore, Hita ka kërkuar angazhim maksimal për parandalimin e incidenteve që cenojnë sigurinë e nxënësve dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor.

Në dokument ngrihet shqetësimi për disa ngjarje të rënda të regjistruara gjatë vitit shkollor 2024-2025, ku nxënës ose persona të jashtëm kanë hyrë në shkolla me sende të ndaluara, duke shkaktuar situata të rrezikshme për jetën dhe sigurinë e të rinjve.

Sipas urdhrit, pranë institucioneve arsimore do të organizohen shërbime të posaçme policore, ndërsa agjentë të policisë kriminale do të vendosen në terren për monitorimin e situatës dhe identifikimin e personave që tentojnë të shpërndajnë lëndë narkotike pranë shkollave.

Gjithashtu, strukturat e narkotikëve, forcat operacionale dhe efektivët e komisariateve do të zhvillojnë kontrolle të befasishme për kapjen në flagrancë të shpërndarësve të drogës dhe personave që mbajnë armë të ftohta.

Në fokus të urdhrit janë edhe bizneset pranë shkollave. Strukturat e Hetimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me komisariatet, janë ngarkuar të kontrollojnë dhe ndalojnë shitjen e produkteve të ndaluara për të miturit nën moshën 18 vjeç.

Policia synon që përmes këtyre masave të rrisë sigurinë në ambientet shkollore dhe të frenojë fenomenet kriminale që po prekin të rinjtë.