“Thonë se kam kancer” – Perez shpërthen te Reali: Kush më sulmon, le të kandidojë kundër meje!

Presidenti i Real Madrid, Florentino Pérez, ka tronditur futbollin spanjoll duke njoftuar zgjedhje të jashtëzakonshme në klub, tre vite para përfundimit të mandatit të tij aktual.

Në një konferencë të papritur për shtyp pas mbledhjes së bordit drejtues, Perez hodhi poshtë zërat për dorëheqje dhe reagoi ashpër ndaj kritikëve dhe mediave që kanë raportuar për një krizë të brendshme te klubi madrilen.

“Unë nuk do të jap dorëheqje. Po thërras zgjedhje. Kushdo që më kritikon, le të kandidojë kundër meje”, deklaroi ai.

Perez mohoi gjithashtu spekulimet për probleme shëndetësore dhe pretendimet se është i lodhur nga drejtimi i klubit.

“Njerëzit thanë se kam kancer, gjithçka është e sajuar. Unë punoj ditë e natë si kafshë”, u shpreh presidenti madrilen.

Ai sulmoi drejtpërdrejt edhe median spanjolle “ABC”, duke akuzuar gazetarët për përhapje të lajmeve të rreme mbi situatën në klub.

Sipas Perez, po tentohet të krijohet ideja se Real Madrid është në kaos, ndërsa ai këmbënguli se klubi mbetet “më prestigjiozi në botë”.

Presidenti kujtoi edhe sukseset gjatë drejtimit të tij, duke theksuar se me të në krye klubi ka fituar 76 trofe në futboll dhe basketboll.

Në fund, Perez konfirmoi se bordi aktual do të rikandidojë në zgjedhjet e reja dhe sfidoi publikisht çdo kundërshtar që të dalë hapur në garë.