SHBA ngriti akuza ndaj Raúl Castros për një ngjarje të 1996 – Reagon vajza e ish udhëheqësit kuban: “Askush nuk do ta rrëmbejë babanë tim”

Mariela Castro, vajza e ish-udhëheqësit kuban Raúl Castro, ka reaguar ashpër pas akuzave të ngritura në Shtetet e Bashkuara ndaj babait të saj, duke përjashtuar çdo mundësi ekstradimi apo rrëmbimi të tij.

Ajo deklaroi se familja e Castro-s dhe mbështetësit e tij janë të gatshëm të “mbrojnë vendin kundër imperializmit”, gjatë një proteste të zhvilluar pranë ambasadës amerikane në Havana.

Deklarata e saj vjen në një moment tensionesh të rritura mes SHBA dhe Kubës, pas ngritjes së akuzave ndaj Raúl Castro-s për një ngjarje të vitit 1996 që lidhet me rrëzimin e dy avionëve civilë, ku humbën jetën shtetas amerikanë.

Sipas autoriteteve kubane, ish-lideri 94-vjeçar nuk është i shqetësuar nga akuzat dhe vijon të ketë mbështetje të gjerë brenda strukturave politike dhe ushtarake të vendit.