Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas debatit të krijuar mbi deklaratat e ministrit të Jashtëm Ferit Hoxha lidhur me marrëveshjen mes Shqipëri dhe Itali për emigrantët.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama theksoi se citimi i ministrit ishte keqinterpretuar nga mediat dhe ritheksoi se protokolli me Italinë do të vazhdojë për aq kohë sa Roma zyrtare do ta dëshirojë.
“Të gjithë gazetarëve nga Italia dhe më gjerë që po kontaktojnë lidhur me një citim të shtrembëruar të raportuar nga një media pas intervistës së ministrit të Jashtëm: Protokolli ynë me Italinë është këtu për të qëndruar, për aq kohë sa Italia ta dëshirojë”, shkroi Rama.
Debati nisi pas një interviste të Hoxhës për “Euractiv”, ku ai deklaroi se marrëveshja aktuale është pesëvjeçare dhe mund të mos ketë nevojë për zgjatje, duke argumentuar se deri atëherë Shqipëria mund të jetë bërë pjesë e Bashkimi Evropian.
Deklarata u interpretua në mediat italiane si një sinjal se Tirana nuk kishte ndërmend të rinovonte marrëveshjen për emigrantët, çka shkaktoi reagime të shumta politike dhe mediatike.
Më vonë, vetë Hoxha sqaroi se deklarata e tij ishte nxjerrë jashtë kontekstit dhe nuk përfaqësonte një vendim të qeverisë shqiptare. Sipas tij, komenti ishte një reflektim mbi mundësinë që statusi i Shqipërisë të ndryshojë pas anëtarësimit në BE deri në vitin 2030.









