Përmbyset beteja për Aeroportin e Vlorës/ Gjykata e Lartë rikthen Behgjet Pacollin në projekt – Rrëzohet vendimi për Valon Ademin

Një zhvillim i fortë juridik ka ndryshuar rrjedhën e konfliktit për administrimin e Aeroportit të Vlorës, pasi Gjykata e Lartë ka vendosur të rrëzojë kërkesën e biznesmenit Valon Ademi dhe kompanisë “2A Group”, duke rikthyer në projekt kompaninë e Behgjet Pacolli.

Me vendimin më të fundit, Gjykata e Lartë ka ndryshuar qëndrimin e mëparshëm të gjykatave në Tiranë, duke rrëzuar masën e sigurimit të padisë të kërkuar nga shoqëritë “Vlora International Airport” dhe “ZA Group”.

Ky vendim konsiderohet një kthesë e rëndësishme në përplasjen ligjore mes palëve për kontrollin dhe administrimin e aeroportit, pasi më herët Gjykata e Apelit kishte lënë në fuqi një vendim që i jepte Valon Ademit të drejtën për administrimin e projektit, ndërsa kompania e Pacollit mbetej jashtë vendimmarrjes.

Zhvillimi bëhet edhe më i bujshëm për shkak se vetëm pak ditë më parë vetë Behgjet Pacolli kishte deklaruar publikisht tërheqjen nga projekti i aeroportit, duke akuzuar shtetin për presion dhe mungesë të shtetit ligjor.

“Aeroportin le ta marrin! Unë nuk dua të luftoj me shtetin”, ishte deklarata e fortë e Pacollit më 20 prill, ku ai pretendonte se po përballej me një përdorim të padrejtë të pushtetit shtetëror.

Megjithatë, vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë duket se ka ndryshuar sërish balancat në këtë çështje me interes të lartë ekonomik dhe strategjik.

Përplasja për Aeroportin e Vlorës ka qenë një nga debatet më të forta të muajve të fundit, duke përfshirë kompani private, procese gjyqësore dhe akuza të ndërsjella për mënyrën e administrimit të projektit.

Vendimi i Gjykatës së Lartë:

“Ndryshimin e vendimit nr. 17959 Akti, date 23.12.2025 të Gjykates së Shkallës Juridiksionit te Pergjithshëm Tiranë dhe vendimit nr. 185 (30-2026-1569), date 19.02.2026 te Gjykates se Apelit te Juridiksionit te

Pergjithshem Tirane dhe rëzimin e kerkeses se paditesve “Vlora Internacional Airport” SHPK dhe “ZA Group” për marrjen e masës së sigurimit te padise.”

Kujtojmë se, palët kanë pasur një përplasje të vazhdueshme ligjore, e cila ka rezultuar edhe në tensione në kantierin e ndërtimit mes punëtorëve të dy kompanive.

Zanafilla e konfliktit është mes dy kompanive aksionare të shoqërisë që ka kontratën koncesionare me shtetin shqiptar MACBO me 98 për qind dhe 2A Group me 2 për qind qëndron tek një kontrate për shitjen e 47 për qind të aksioneve nga aksioneri i madh tek më i vogli diçka që MACBO nuk e pranon të ketë ndodhur.

Kompania “2A Group” pretendon se në prill 2025 ka blerë rreth 47% të kuotave të ortakut shumicë Mabco, mbi bazën e një kontrate shitblerjeje aksionesh. Por, Mabco e kundërshton vlefshmërinë e kësaj kontrate, duke thënë se ata nuk kanë firmosur asnjë kontratë.