“Nuk tërhiqem nga bashkëpunimi me Trump!” – Kancelari Merz sfidon përplasjet për Iranin dhe mbron aleancën me SHBA

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga bashkëpunimi me Presidentin amerikan Donald Trump, pavarësisht mosmarrëveshjeve të thella mes dy vendeve lidhur me zhvillimet e fundit në Iran.

Në një intervistë të fundit, Merz theksoi se marrëdhëniet transatlantike mbeten një prioritet strategjik për Gjermaninë, duke nënvizuar se dialogu dhe bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara janë të pazëvendësueshme, edhe në kohë tensionesh. “Nuk po heq dorë nga puna për forcimin e marrëdhënieve transatlantike. Po ashtu, nuk do të tërhiqem nga bashkëpunimi me Donald Trumpin”, u shpreh ai.

Deklarata e kancelarit vjen në një klimë të ndezur diplomatike mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermanisë, ku dallimet në qasjen ndaj krizës në Iran janë bërë gjithnjë e më të dukshme. Ndërsa Uashingtoni ka mbajtur një qëndrim më të ashpër dhe të drejtpërdrejtë, Berlini ka kërkuar zgjidhje diplomatike dhe ulje të tensioneve në rajon.

Pavarësisht këtyre diferencave, Merz ka theksuar se bashkëpunimi mes dy aleatëve historikë nuk duhet të vihet në pikëpyetje, duke paralajmëruar se dobësimi i kësaj lidhjeje do të kishte pasoja të gjera për stabilitetin global.

Qëndrimi i tij pritet të ndikojë në zhvillimet e ardhshme të politikës së jashtme gjermane dhe në mënyrën se si do të menaxhohen raportet me administratën amerikane në një nga momentet më delikate të skenës ndërkombëtare.