Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka refuzuar kategorikisht propozimin më të fundit të Iran për një marrëveshje mes dy vendeve, duke e cilësuar atë si të papranueshëm dhe larg pritshmërive të Uashingtonit.
Në një deklaratë për mediat, Trump bëri të ditur se e ka shqyrtuar ofertën e Teheranit, por nuk është i kënaqur me përmbajtjen e saj. “Nuk jam i kënaqur me atë që kanë ofruar”, u shpreh ai, duke lënë të kuptohet se diferencat mes palëve mbeten të thella.
Sipas burimeve ndërkombëtare, propozimi iranian parashikon përfundimin e plotë të armiqësive, duke refuzuar idenë amerikane për një armëpushim të përkohshëm dy-mujor. Gjithashtu, Teherani kërkon që çështjet kryesore të zgjidhen brenda një afati 30-ditor, një kërkesë që nuk përputhet me qasjen graduale të SHBA-së.
Autoritetet iraniane kanë bërë të ditur se kjo ofertë është një përgjigje ndaj një plani amerikan me nëntë pika, ndërsa kanë theksuar se aktualisht nuk ka negociata aktive për programin bërthamor. Ndërkohë, Teherani po analizon edhe reagimin e Uashingtonit ndaj një propozimi të mëparshëm me 14 pika, i cili është dorëzuar përmes ndërmjetësimit të Pakistan.
Në një tjetër deklaratë, Trump është ndalur edhe te çështja e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, duke kërkuar sërish që atij t’i jepet falje, me argumentin se duhet të fokusohet te menaxhimi i situatës së luftës dhe jo në përballjen me çështje të tjera politike.
Refuzimi i ofertës iraniane pritet të rrisë tensionet në Lindjen e Mesme, ndërsa mbetet e paqartë nëse palët do të gjejnë një rrugë të re drejt dialogut apo do të përshkallëzojnë më tej përplasjet.









