“Nuk i është kërkuar favor Pekinit” – Rubio: Kina ashtu si SHBA u shpreh kundër militarizimit të Ngushticës së Hormuzit

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë rënë dakord që Ngushtica e Hormuzit nuk duhet të militarizohet, pas takimit të zhvilluar mes drejtuesve të dy vendeve në Pekin.

Në një intervistë për NBC News, Rubio tha se pala kineze ka shprehur qartë kundërshtimin ndaj militarizimit të kësaj zone strategjike, si edhe ndaj vendosjes së një sistemi taksash në këtë korridor jetik për tregtinë globale të naftës.

“Pala kineze tha se nuk është në favor të militarizimit të Ngushticës së Hormuzit dhe nuk është në favor të një sistemi taksor, dhe ky është edhe qëndrimi ynë”, u shpreh Rubio.

Ai theksoi se edhe pse SHBA nuk është plotësisht e imunizuar nga luhatjet e çmimeve të naftës në tregjet globale, vendet e tjera preken shumë më tepër nga çdo krizë në rajon.

Rubio shtoi se presidenti amerikan nuk i ka kërkuar ndonjë favor Kinës gjatë bisedimeve dhe se Uashingtoni nuk ka nevojë për ndihmën e Pekinit, por nënvizoi se të gjitha fuqitë duhet të kontribuojnë për ruajtjen e stabilitetit në një nga rrugët më të rëndësishme energjetike në botë.