Rikthim i bujshëm i Neuer në lojë/ Surprizë në portën e Gjermanisë për Botërorin 2026 – Nagelsmann dorëzon listën me 55 emra në FIFA

Trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, ka dorëzuar në FIFA listën paraprake me 55 futbollistë për Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Vëmendja më e madhe është përqendruar te porta e “Die Mannschaft”, ku situata mbetet e paqartë për shkak të problemeve fizike të Marc-André ter Stegen. Ai po rikuperohet nga dëmtimi i pësuar gjatë periudhës së tij të huazimit te Girona, pas transferimit nga Barcelona, një lëvizje që synonte t’i siguronte më shumë minuta loje për të qenë titullar në Botëror.

Megjithatë, gjendja e tij fizike e vë në dyshim pjesëmarrjen në turne.

Ndërkohë, në Gjermani po qarkullojnë gjithnjë e më shumë spekulime për rikthimin e bujshëm të legjendës së portës, Manuel Neuer. Edhe pse 40 vjeç dhe i tërhequr më herët nga kombëtarja, ai është përmendur sërish si një opsion i mundshëm për Botërorin, duke krijuar debat të madh në opinionin sportiv.

Aktualisht, një nga alternativat kryesore të Nagelsmann është edhe Oliver Baumann, i cili po aktivizohet rregullisht dhe shihet si kandidaturë serioze për të mbrojtur portën gjermane në kompeticionin madhor.

Vendimi përfundimtar për listën që do të marrë pjesë në Botërorin 2026 pritet të merret në ditët në vijim, ndërsa dilema për portierin titullar mbetet një nga çështjet më të nxehta në kampin gjerman.