“Durimi im po mbaron” – Trump paralajmëron Iranin nga Pekini: Bëni marrëveshje ose do të ketë pasoja

Presidenti amerikan Donald Trump ka lëshuar një tjetër paralajmërim të fortë ndaj Iranit gjatë vizitës së tij zyrtare në Pekin, duke deklaruar se durimi i tij ndaj Teheranit “nuk do të zgjasë për shumë kohë”.

Në një intervistë për Fox News, Trump u shpreh se Irani duhet të arrijë një marrëveshje sa më shpejt, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të mbeten të larta.

“Nuk do të duroj më gjatë, ata duhet të bëjnë një marrëveshje”, deklaroi presidenti amerikan.

Deklarata vjen vetëm një ditë pasi Shtëpia e Bardhë njoftoi se Trump dhe presidenti kinez Xi Jinping ranë dakord për nevojën që Ngushtica e Hormuzit të mbetet e hapur dhe e sigurt për lundrimin ndërkombëtar, në një moment kritik për rajonin.

Në të njëjtën intervistë, Trump foli edhe për programin bërthamor iranian, duke thënë se do të ndihej “më mirë” nëse uraniumi i pasuruar i Teheranit do të ishte në duart e SHBA-së.

“Do të preferoja ta kisha. Do të ndihesha më mirë nëse do ta kisha”, tha ai, duke shtuar se SHBA ka ende mundësi të reagojë ushtarakisht nëse situata përshkallëzohet.

Presidenti amerikan iu referua edhe bombardimeve amerikane ndaj tre objekteve bërthamore iraniane në qershor të vitit 2025, ndërsa deklaratat e tij për rezervat e uraniumit të Iranit kanë qenë shpesh të ndryshme dhe kontradiktore gjatë muajve të fundit.