“Marrëveshja me Iranin mund të arrihet brenda një jave” – Trump optimist për fundin e luftës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump ka deklaruar se një marrëveshje e mundshme me Iranin mund të finalizohet brenda vetëm një jave, duke ngritur pritshmëri të larta për një zhvillim të shpejtë diplomatik mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Sipas deklarimeve të gazetarit të Fox News, Bret Baier, i cili ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin amerikan, Trump është shprehur “i kujdesshëm por optimist” për arritjen e një marrëveshjeje, e cila fillimisht mund të marrë formën e një memorandumi mirëkuptimi, por që mund të çojë në hapa të tjerë më të thellë diplomatikë.

Baier theksoi se presidenti amerikan e ka parë situatën si pozitive dhe ka vlerësuar se procesi mund të përmbyllet shumë shpejt, madje brenda një afati prej shtatë ditësh.

Trump, nga ana e tij, ka deklaruar se bisedimet me Iranin po ecin në mënyrë të qetë dhe se Teherani ka shfaqur interes për negociata. Ai është shprehur se Shtetet e Bashkuara po e ndjekin situatën nga afër dhe se synimi është arritja e një marrëveshjeje të pranueshme për të dy palët.

Presidenti amerikan ka theksuar gjithashtu se çdo marrëveshje duhet të përfshijë kushte të forta për programin bërthamor iranian, përfshirë transferimin e rezervave të uraniumit të pasuruar në territorin amerikan dhe ndalimin e aktiviteteve në objektet nëntokësore bërthamore të Iranit.

Megjithatë, krahas optimizmit, Trump ka dhënë edhe një paralajmërim të ashpër, duke theksuar se në rast se nuk arrihet marrëveshje, opsioni ushtarak mbetet i hapur. “Nëse bien dakord, gjithçka përfundon. Nëse jo, do të ketë pasoja të rënda”, ka deklaruar ai, duke përmendur edhe mundësinë e goditjeve ushtarake.

Deklaratat e tij vijnë në një moment tensionesh të larta ndërkombëtare dhe në kuadër të përpjekjeve për të ulur përshkallëzimin mes SHBA-së dhe Iranit, ku diplomacia dhe presioni ushtarak po ecin paralelisht.