Bashkimi Evropian po përballet me një debat të ri mbi të ardhmen e tij, pasi Gjermania ka propozuar një plan të gjerë reformimi me gjashtë pika, në një kohë tensionesh të rritura globale dhe konflikte të shumta ndërkombëtare.
Propozimi u prezantua nga ministri gjerman i Punëve të Jashtme Johann Wadephul gjatë një fjalimi në Berlin, ku ai theksoi se Bashkimi Evropian duhet të bëhet më i shpejtë dhe më efikas në vendimmarrje, sidomos në politikën e jashtme dhe të sigurisë.
Sipas Wadephul, bota po përjeton një “rend të ri ndërkombëtar në ndryshim”, të reflektuar edhe nga konfliktet e fundit globale, përfshirë tensionet në Iran, ndaj BE-ja nuk mund të vazhdojë me ritmet aktuale të ngadalta dhe me bllokime politike.
Një nga pikat kryesore të planit gjerman është reduktimi i pengesave të shkaktuara nga rregulli i unanimitetit mes 27 vendeve anëtare. Në vend të tij, Berlini propozon përdorimin më të gjerë të votimit me shumicë të kualifikuar, për të shmangur situatat kur një shtet i vetëm bllokon vendime të rëndësishme për periudha të gjata.
Gjermania gjithashtu sugjeron krijimin e një mekanizmi fleksibël, ku disa vende mund të ecin përpara me projekte të përbashkëta pa u bllokuar nga shtetet që nuk duan të marrin pjesë.
Një tjetër element i rëndësishëm i planit është reforma e zgjerimit të BE-së, duke propozuar një proces anëtarësimi me faza. Sipas këtij modeli, vendet kandidate do të kalojnë nëpër hapa të ndërmjetëm integrimi përpara anëtarësimit të plotë, duke u afruar gradualisht me strukturat e unionit.
Wadephul theksoi gjithashtu nevojën për riorganizim institucional të BE-së, duke paralajmëruar se një union i zgjeruar në 33 apo më shumë shtete nuk mund të funksionojë me të njëjtën strukturë aktuale. Ai ngriti edhe idenë e një Komisioni Evropian më të vogël, por më efikas, në vend të përfaqësimit të plotë të çdo shteti anëtar.
Sipas Berlinit, qëllimi i këtij plani është që BE-ja të ruajë aftësinë për të vepruar në mënyrë të shpejtë dhe të unifikuar në një botë gjithnjë e më të paqëndrueshme.









