“Marrëdhëniet me SHBA janë sovranitet kombëtar” – Emiratet e Bashkuara sfidë Teheranit – Paralajmërojnë përgjigje ndaj çdo kërcënimi

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë reaguar ashpër ndaj kritikave të Iranit lidhur me marrëdhëniet e tyre të ngushta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se kjo është një çështje që i përket ekskluzivisht sovranitetit të tyre kombëtar.

Përmes një deklarate zyrtare, Ministria e Jashtme e Emirateve hodhi poshtë pretendimet e Iran, sipas të cilave bashkëpunimi i Abu Dhabit me Uashingtonin përbën kërcënim për sigurinë rajonale.

Autoritetet emirate theksuan se çdo shtet ka të drejtë të ndërtojë marrëdhëniet e tij ndërkombëtare në bazë të interesave kombëtare dhe politikës së jashtme të pavarur, duke e konsideruar këtë një parim themelor të së drejtës ndërkombëtare.

Në reagim, Ministria e Jashtme e Emirateve deklaroi gjithashtu se vendi ruan të drejtën për t’u mbrojtur dhe për të reaguar ndaj çdo veprimi që e konsideron kërcënim ose akt armiqësor ndaj territorit dhe sigurisë së tij.

Deklarata vjen në një moment tensionesh të rritura mes dy vendeve, ku Emiratet kanë pretenduar më herët se janë shënjestruar në incidente të lidhura me Iranin, akuza të cilat Teherani i ka mohuar kategorikisht.

Nga ana tjetër, Irani ka paralajmëruar se çdo sulm ndaj tij do të marrë një përgjigje të fortë dhe të menjëhershme, duke rritur më tej shqetësimet për një përshkallëzim të mundshëm në rajon.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa aktorët kryesorë në Lindjen e Mesme vazhdojnë të shkëmbejnë mesazhe paralajmëruese në një klimë të brishtë sigurie dhe rivaliteti gjeopolitik.