Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur fjalimin hapës të fushatës politike, ku ka përcjellë mesazhe të forta kundër klimës politike dhe sociale që, sipas tij, po e mban Kosovën në stagnim dhe pa perspektivë.
Gjatë tubimit, Abdixhiku deklaroi se qytetarët e Kosovës nuk meritojnë “zymtësinë” që është krijuar në vend dhe premtoi se LDK do të sjellë një vizion të ri zhvillimi, me më shumë ambicie dhe shpresë për të ardhmen.
Sipas tij, Kosova ka potencial shumë më të madh sesa realiteti që po përjetojnë qytetarët sot, ndërsa theksoi se vendit i duhet një drejtim i ri politik dhe ekonomik.
“Sonte kemi ardhur para jush me një bindje të thjeshtë, por shumë të fuqishme: kjo gjendje nuk është fati ynë. Kosova mundet shumë më tepër sesa kjo zymtësi që po i ofrohet qytetarëve. Njerëzit tanë kanë nevojë për më shumë ambicie dhe pikërisht këtë ambicie do t’ia japim këtij vendi”, deklaroi Abdixhiku para mbështetësve të tij.
Lideri i LDK-së tha se partia e tij do të prezantojë një plan të ri për të ardhmen e Kosovës, duke u fokusuar tek zhvillimi ekonomik, forcimi i shtetit, integrimi euroatlantik dhe rikthimi i besimit të qytetarëve tek institucionet.
Ai shtoi se synimi i programit të LDK-së është nxjerrja e Kosovës nga, siç e quajti ai, “fundi i trishtë”, për ta kthyer vendin në një shtet me dinjitet, siguri dhe perspektivë europiane.
“Në këtë rrugëtim vijmë me një plan konkret për të nesërmen, një plan që e çon Kosovën drejt zhvillimit, sigurisë dhe integrimit euroatlantik”, u shpreh Abdixhiku.
Deklaratat e tij vijnë në një moment të rëndësishëm politik në Kosovë, ndërsa partitë kanë nisur mobilizimin për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat pritet të shoqërohen me përballje të forta politike për drejtimin e vendit.










