Netanyahu paralajmëron ofensivë të re në Gaza: Synojmë kontrollin e 70% të territorit

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se i ka dhënë urdhër ushtrisë izraelite të zgjerojë kontrollin ushtarak në Rripin e Gazës deri në 70 për qind të territorit, duke sinjalizuar një fazë të re të ofensivës izraelite në enklavën palestineze.

Gjatë një konference të organizuar prej tij, Netanyahu tha se aktualisht Izraeli kontrollon rreth 60 për qind të territorit të Gazës, ndërsa objektivi i radhës është zgjerimi i mëtejshëm i operacioneve ushtarake.

“Momentalisht kontrollojmë plotësisht 60 për qind të territorit të Rripit të Gazës dhe udhëzimi im është të arrijmë në 70 për qind”, deklaroi ai.

Situata u tensionua edhe më tej kur një nga të pranishmit në sallë kërkoi publikisht që Izraeli të marrë “100 për qind” të Gazës. Netanyahu u përgjigj se operacioni po zhvillohet gradualisht, por nuk përjashtoi mundësinë që ky të jetë objektivi final.

“Do të fillojmë me 70 për qind”, u shpreh lideri izraelit.

Deklaratat e Netanyahut vijnë vetëm pak ditë pasi ai pranoi publikisht se ushtria izraelite tashmë kontrollon pjesën më të madhe të Gazës, një shifër dukshëm më e lartë krahasuar me zonat që ishin parashikuar fillimisht nën kontrollin izraelit pas armëpushimit të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara në tetor.

Sipas hartave të publikuara nga autoritetet izraelite në muajin mars, një zonë e re e kufizuar jashtë territorit të kontrolluar nga ushtria përfshin rreth 11 për qind shtesë të Gazës. Këto territore, të kombinuara me zonat e pushtuara më herët, përbëjnë pothuajse dy të tretat e të gjithë Rripit të Gazës.

Deklaratat e kryeministrit izraelit pritet të shtojnë më tej tensionet në rajon, ndërsa komuniteti ndërkombëtar vijon thirrjet për armëpushim dhe shmangien e përshkallëzimit të konfliktit.