Incident i rëndë në Rumani/ Dron rus godet për herë të parë një pallat banimi në një vend anëtar të NATO-s

Tronditet Rumania dhe NATO, pasi për herë të parë që nga nisja e luftës në Ukrainë, një dron rus ka goditur një ndërtesë banimi në territorin e një shteti anëtar të aleancës ushtarake perëndimore.

Sipas autoriteteve rumune, droni, i cili dyshohet se ishte pjesë e sulmeve ajrore ruse gjatë natës ndaj Ukrainës, u rrëzua mbi çatinë e një pallati banimi në qytetin Galați, pranë kufirit me Ukrainën dhe Moldavinë. Si pasojë e goditjes, dy persona mbetën të lënduar lehtë, ndërsa disa banorë u evakuuan menjëherë për arsye sigurie.

Ministria rumune e Mbrojtjes bëri të ditur se objekti ajror ishte monitoruar nga radarët ushtarakë teksa kishte hyrë në hapësirën ajrore të Rumanisë, përpara se të përplasej me ndërtesën. Pas impaktit shpërtheu një zjarr, duke detyruar ndërhyrjen emergjente të policisë, zjarrfikësve dhe ekipeve të shpëtimit.

Qyteti Galați ndodhet në lindje të Rumanisë, buzë lumit Danub, shumë pranë zonave ku Rusia ka intensifikuar sulmet me raketa dhe dronë ndaj Ukrainës.

Pas incidentit, ushtria rumune ngriti menjëherë në ajër dy avionë luftarakë F-16 dhe një helikopter ushtarak, të cilët morën autorizim për ndërhyrje ndaj çdo objekti të dyshimtë ajror. Ndërkohë, autoritetet u dërguan mesazhe paralajmëruese banorëve në zonat e konsideruara me rrezik të lartë.

Ngjarja ka ngritur alarmin për rrezikun e përhapjes së konfliktit përtej kufijve të Ukrainës, në një kohë kur Rusia vazhdon bombardimet intensive ndaj infrastrukturës energjetike dhe qyteteve ukrainase me raketa balistike dhe dronë sulmues.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë një vizite në Suedi, kërkoi sërish nga Shtetet e Bashkuara sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore Patriot, duke theksuar se Ukraina ka nevojë urgjente për më shumë mbështetje ushtarake përballë sulmeve ruse.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, paralajmëroi në Këshillin e Sigurimit se përshkallëzimi i konfliktit mund të dalë jashtë kontrollit dhe të sjellë pasoja të paparashikueshme për rajonin dhe më gjerë.

Ai bëri thirrje për ulje të menjëhershme të tensioneve, rikthim të diplomacisë dhe një armëpushim të plotë e pa kushte.