“Shteti nuk po fal asgjë” – Rama për Zvërnecin: Pronë private dhe investitorë “super seriozë”

Kryeministri Edi Rama reagoi ndaj debateve për projektin turistik në Zvërnec, duke mohuar kategorikisht pretendimet se shteti shqiptar po fal prona publike investitorëve privatë.

Gjatë fjalës së mbajtur në prezantimin e kompanisë teknologjike “Albanian Digital Solution”, Rama i cilësoi këto raportime si “lajm të rremë”, ndërsa theksoi se prona në Zvërnec është private dhe nuk i përket shtetit.

Sipas kreut të qeverisë, investitorët që kanë marrë përsipër zhvillimin e projektit janë “tejet seriozë” dhe e kanë blerë tokën nga pronarë privatë.

Rama u ndal edhe te roli i Korporata Shqiptare e Investimeve, duke deklaruar se qeveria po ndjek një qasje të re për administrimin e pronave publike, me synim kthimin e tyre në asete zhvillimi ekonomik për shtetin shqiptar.

Ai tha se korporata ka krijuar një portofol investimesh me vlerë rreth gjysmë miliard euro, duke synuar përdorimin e pronave publike për projekte zhvillimore dhe jo më “dhënie të tyre për hiçasgjë”.

Kryeministri sqaroi gjithashtu se shteti shqiptar ka pronësi vetëm mbi ishullin e Sazanit, pjesë e zonës së projektit, ku sipas tij negociatat ende nuk kanë përfunduar.

“Shteti nuk po fal asgjë. Zvërneci është pronë private dembabadem, ndërsa toka në ishullin e Sazanit është pronë e shtetit shqiptar”, deklaroi Rama.