Konfiskohet pallati në Tiranë – 3 kate pa leje dhe në përdorim pa certifikatë

Një pallat banimi dhe shërbimi në Tiranë është konfiskuar për interes publik pas një aksioni të përbashkët të Policia e Shtetit dhe Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Tiranë.

Sipas autoriteteve, verifikimet zbuluan se objekti ishte ndërtuar në shkelje të lejes së ndërtimit, duke shtuar në mënyrë të paligjshme katin e 10-të, katin e 11-të dhe një pjesë të katit të 12-të mbi një godinë të miratuar fillimisht me 9 kate.

Gjithashtu, u konstatua se pallati ishte vënë në shfrytëzim pa certifikatë përdorimi, në kundërshtim me procedurat ligjore.

Operacioni u realizua nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe Drejtoria e Monitorimit dhe Zbatueshmërisë së Lejeve të Ndërtimit, në kuadër të kontrolleve për zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik.

Policia e Shtetit dhe IMT, Bashkia Tiranë:

Konfiskohet për interes publik, objekt banimi dhe shërbimi në rrugën “Llukë Kaçaj”, ndërtuar dhe përdorur në kundërshtim me ligjin.

Si rezultat i një aksioni të përbashkët ndërmjet strukturave të Policisë së Shtetit dhe atyre të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Tiranë, nëpërmjet Drejtorisë së Monitorimit dhe Zbatueshmërisë së Lejeve të Ndërtimit, ndërmarrë në zbatim të ligjit dhe në mbrojtje të interesit publik, është konfiskuar për interes publik, objekt banimi dhe shërbimi, në rrugën “Llukë Kaçaj”, Njësia Administrative Nr. 4, Tiranë.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se ishte ndërtuar në tejkalim të lejes së ndërtimit, kati i 10 dhe i 11 i objektit 9-katësh dhe një pjesë e katit të 12 të tij. 
Gjithashtu, u konstatua se objekti ishte vënë në shfrytëzim, pa certifikatë përdorimi.

Referuar Aktit Normativ Nr. 8, datë 01.10.2025, tejkalimi rezultoi mbi pragun ligjor 10% të parashikuar për masën e konfiskimit për interes publik.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Gjithashtu, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Departamentin e Policisë Kriminale dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 Tiranë, kanë referuar disa herë materiale procedurale në Prokurori, për shkelje të konstatuara në këtë objekt.

Policia e Shtetit mbetet maksimalisht e angazhuar për të bashkëpunuar ngushtë me të gjitha agjencitë ligjzbatuese të ngarkuara për kontrollin e territorit, me qëllim parandalimin, konstatimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve të paligjshme dhe krimeve kundër mjedisit në tërësi.