Kriza politike brenda Partisë Laburiste po hyn në një fazë të rrezikshme, teksa zërat kundër kryeministrit britanik Keir Starmer po shtohen çdo orë.
Për herë të parë, një ndihmëse ministrore parlamentare në detyrë ka kërkuar publikisht që Starmer të përcaktojë një afat për largimin e tij nga drejtimi i qeverisë britanike. Deputetja Sally Jameson, e zgjedhur në zonën e Doncaster Central dhe pjesë e ekipit të Ministrisë së Brendshme britanike, tronditi politikën britanike me deklaratën e saj, pasi si pjesë e qeverisë konsiderohet e detyruar të respektojë përgjegjësinë kolektive.
Dalja e saj publike shihet si sinjali më i fortë deri tani i përçarjes së thellë brenda laburistëve.
Vetëm pak minuta më pas, një tjetër goditje erdhi nga deputetja Tonia Antoniazzi, e cila deklaroi hapur se kishte humbur besimin te Starmer.
“Keir Starmer është një njeri me integritet dhe ka udhëhequr partinë në periudha të vështira, por mendoj se ka ardhur koha që ai të largohet nga posti i kryeministrit në mënyrë të rregullt”, deklaroi ajo.
Antoniazzi paralajmëroi gjithashtu se do të publikojë një deklaratë më të detajuar gjatë ditës së nesërme, çka pritet të shtojë edhe më shumë tensionet në kampin qeveritar.
Kritikat ndaj Starmer po bëhen gjithnjë e më të forta brenda partisë në pushtet, ndërsa shumë deputetë laburistë po vënë në dyshim aftësinë e tij për të mbajtur të bashkuar qeverinë dhe për të përballuar krizën politike që po thellohet në Mbretëria e Bashkuar.









