Kryeministri Edi Rama i dorëzoi violinistit të njohur Tedi Papavrami dekoratën “Ylli i Oficerit të Urdhrit Suprem të Shqiponjës”, në emër të Presidentit Bajram Begaj, gjatë një ceremonie të veçantë të zhvilluar në kuadër të aktiviteteve të Javës së Europës në Tiranë.
Në fjalën e tij, Rama e cilësoi Papavramin si një nga figurat më të ndritura shqiptare në arenën ndërkombëtare, duke vlerësuar jo vetëm karrierën e tij të jashtëzakonshme artistike, por edhe dimensionin njerëzor, intelektual dhe kulturor që ai përfaqëson.
Kryeministri tha se ceremonia merrte një domethënie të veçantë pikërisht në Javën e Europës, duke theksuar se Shqipëria sot ndodhet më pranë se kurrë familjes europiane. Sipas tij, prania e Papavramit në Tiranë përfaqësonte vetë frymën e qytetërimit europian, kulturën e lartë dhe urtësinë që shqiptarët kanë ëndërruar ndër vite.
Në një nga momentet më emocionuese të fjalës së tij, Rama falënderoi violinistin për mënyrën se si ka përfaqësuar shqiptarët në arenën ndërkombëtare.
“Faleminderit që shkove në Europë si një shqiptar i bukur, në një kohë kur shqiptarët shiheshin si njerëz me bisht”, u shpreh ai.
Rama kujtoi gjithashtu figura të mëdha të kulturës shqiptare si Jusuf Vrioni dhe Ismail Kadare, duke thënë se ata do ta kishin vlerësuar dhe shijuar këtë nderim për Papavramin.
Kryeministri theksoi se dekorata nuk ishte vetëm për virtuozitetin e artistit në violinë, por edhe për kontributin e tij si përkthyes, krijues, intelektual dhe ambasador i kulturës shqiptare në botë.
Ai nënvizoi se Papavrami, i cili prej vitesh jeton në Francë dhe ka ndërtuar aty karrierën e tij ndërkombëtare, është një figurë që e ka nderuar Shqipërinë me dinjitet në çdo skenë ku është ngjitur.
Rama u ndal edhe te rikthimi i “Urdhrit Suprem të Shqiponjës”, të cilin e cilësoi si një urdhër kalorësie me vlera historike për shtetin shqiptar. Sipas tij, ishte detyrim moral që Papavrami të ishte ndër të parët që nderohej me këtë titull të lartë.
Në fund të fjalës së tij, Kryeministri e përshkroi violinistin si “një muzikant-njeri”, duke cituar edhe kompozitorin legjendar Johann Sebastian Bach: “Madhështia nuk qëndron te objekti, por te fryma.”









