Një gjykatë në Turqi ka vendosur të zgjasë paraburgimin për ish-kryebashkiakun e Stambollit, Ekrem Imamoglu, në kuadër të çështjes së bujshme për “spiunazh politik”, duke thelluar përplasjen mes pushtetit dhe opozitës turke.
Vendimi u mor nga Gjykata e 25-të Penale e Stambollit, e cila zhvilloi seancën në ambientet pranë Burgut të Sigurisë së Lartë Marmara. Bashkë me Imamoglun, në gjyq janë përfshirë edhe figura të njohura të opozitës, si Huseyin Gün, Necati Özkan dhe gazetari Merdan Yanardag.
Gjykata vendosi që të gjithë të pandehurit të mbeten në paraburgim, ndërsa seanca e radhës është shtyrë për më 6 korrik.
Imamoglu, i konsideruar prej vitesh si rivali më i fortë politik i presidentit Recep Tayyip Erdoğan, ishte shkarkuar më herët nga posti i kryetarit të Bashkisë Metropolitane të Stambollit pas arrestimit të tij në një tjetër hetim që lidhej me akuza për krime financiare.
Gjatë seancës, prokuroria kërkoi vazhdimin e mbledhjes së provave dhe urdhëroi që Autoriteti Turk i Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit të dorëzojë të dhëna mbi adresat IP dhe serverët e përdorur nga Bashkia e Stambollit.
Po ashtu, dokumentet janë dërguar për shqyrtim edhe tek MIT dhe Drejtoria Antiterrorizëm, me synimin për të verifikuar nëse ka pasur akses të paautorizuar në sistemet dixhitale të bashkisë, rrjedhje të të dhënave apo shkelje të sigurisë elektronike.
Sipas aktakuzës së përgatitur nga Prokuroria e Stambollit, veprat penale dyshohet se janë kryer në periudhën 2019-2025. Prokurorët pretendojnë se të dhëna personale të qytetarëve, të marra nga databaza e Bashkisë së Stambollit, janë gjetur në pajisje dixhitale në posedim të Huseyin Gün.
Hetuesit pretendojnë se Necati Özkan, me udhëzimet e Imamoglut, ka transferuar adresa emailesh dhe fjalëkalime të bashkisë në një platformë online të quajtur “Ostin”, e cila sipas prokurorisë lidhet me rrjetin e errët të internetit.
Sipas dosjes hetimore, përmes këtyre të dhënave është siguruar akses në dokumente konfidenciale, korrespondencë të brendshme dhe informacione sensitive të administratës së Stambollit.
Aktakuza përmend gjithashtu emrin e amerikanit Aaron Barr, i cili sipas prokurorëve dyshohet se ka lidhje me shërbime të huaja inteligjence. Prokuroria pretendon se të pandehurit kanë bashkëpunuar për të ndikuar debatin publik dhe për të përdorur të dhënat komunale për përfitime politike.
Sipas pretendimeve të prokurorisë, Imamoglu ka përdorur pozitën e tij për të siguruar të dhëna personale të qytetarëve dhe për t’ua transmetuar shërbimeve të huaja të inteligjencës.
Nëse shpallen fajtorë, katër të pandehurit rrezikojnë dënime të rënda nga 15 deri në 20 vite burg për akuzën e “spiunazhit politik”.









