Ekonomia e Rusia po përballet me një nga periudhat më të vështira që nga nisja e luftës në Ukraina, ndërsa efektet e paketës së 20-të të sanksioneve perëndimore kanë filluar të ndihen gjithnjë e më fort në financat dhe tregjet ruse.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë ruse për Zhvillimin Ekonomik, ekonomia e vendit është tkurrur me 0.3 për qind gjatë periudhës janar-mars 2026, duke regjistruar kontraktimin e parë ekonomik që prej vitit 2023. Situata ka ngritur alarmin edhe në Kremlin, ku presidenti Vladimir Putin ka mbledhur urgjentisht këshilltarët ekonomikë për të analizuar përkeqësimin e treguesve kryesorë ekonomikë.
Që prej nisjes së ofensivës ushtarake ruse në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë kanë vendosur një seri të gjerë sanksionesh ndaj Moskës, me synimin për të dobësuar aftësinë financiare të Kremlinit për të vazhduar luftën. Megjithatë, pavarësisht presionit ekonomik, Rusia ka vijuar operacionet ushtarake dhe nuk ka treguar gatishmëri për lëshime në negociata.
Kriza po reflektohet qartë edhe në financat publike. Vetëm në tre muajt e parë të vitit, deficiti buxhetor i Rusisë ka arritur në rreth 60 miliardë dollarë, duke tejkaluar objektivat që qeveria kishte parashikuar për të gjithë vitin. Në të njëjtën kohë, inflacioni mbetet i lartë, rreth 6 për qind, ndërsa normat e interesit vazhdojnë të qëndrojnë në nivele shumë të larta, në 14.5 për qind, duke rënduar më tej bizneset dhe qytetarët rusë.
Edhe tregjet financiare kanë pësuar goditje të forta. Që prej muajit mars, bursat dhe investimet në Rusi kanë humbur terren, ndërkohë që tregjet ndërkombëtare kanë shfaqur shenja rikuperimi dhe stabiliteti. Analistët vlerësojnë se pasiguria ekonomike dhe izolimi financiar kanë ulur ndjeshëm besimin e investitorëve ndaj ekonomisë ruse.
Një tjetër problem serioz që po rëndon ekonominë është mungesa e fuqisë punëtore. Banka Qendrore e Rusisë ka paralajmëruar se mobilizimi ushtarak dhe largimi i mijëra profesionistëve jashtë vendit kanë krijuar boshllëqe të mëdha në sektorë kyç të ekonomisë dhe industrisë.
Vetë Putin ka pranuar publikisht se ekonomia nuk po ecën sipas pritshmërive të Kremlinit. Muajin e kaluar ai kërkoi sqarime nga ekspertët ekonomikë për ngadalësimin e rritjes dhe problemet që po godasin sektorët strategjikë të vendit.
Ndërkohë, edhe Brukseli vlerëson se sanksionet kanë filluar të japin rezultat. Presidentja e Komisioni Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi së fundmi se masat ndëshkuese po ushtrojnë “presion të fortë” mbi ekonominë ruse dhe po kufizojnë kapacitetet financiare të Moskës.
Megjithatë, ekspertët ndërkombëtarë theksojnë se, ndonëse ekonomia ruse është dukshëm më e dobët, më pak konkurruese dhe më pak tërheqëse për investime krahasuar me periudhën para luftës, vendi mbetet ende larg një kolapsi total ekonomik.









