FIFA po shqyrton një skenar të jashtëzakonshëm për Kupën e Botës 2026, ndërsa pjesëmarrja e Iranit mbetet në dyshim për shkak të tensioneve të forta gjeopolitike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas raportimeve, organizata po diskuton mundësinë e organizimit të një “super play-off”-i ndërkombëtar për të përcaktuar skuadrën që mund të zëvendësojë Iranin në turne.
Në skenarin që po qarkullon, do të përfshiheshin katër kombëtare: dy ekipet europiane me koeficientin më të lartë që nuk siguruan kualifikimin, mes tyre Italia dhe Danimarka, si dhe dy përfaqësuese nga Azia.
Plani parashikon zhvillimin e dy gjysmëfinaleve dhe më pas një finaleje, që do të vendoste ekipin fitues për pjesëmarrjen në Botëror.
Një tjetër opsion që po diskutohet është kalimi direkt i një skuadre aziatike, ku favoritë konsiderohen Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ky skenar kujton precedentin e krijuar nga FIFA para Kupës së Botës për Klube 2025, kur Club América dhe Los Angeles FC u përballën në një play-off pas përjashtimit të Club León.
Sipas rregullores, të gjitha kombëtaret pjesëmarrëse duhet të konfirmojnë zyrtarisht praninë e tyre në turne 30 ditë para ndeshjes hapëse të 15 qershorit. Vendimi final i FIFA-s pritet javën e ardhshme.









