Goditje rekord ndaj narkotrafikut në Spanjë! – Kapen 30 ton kokainë me vlerë mbi 800 milionë euro

Autoritetet e Spanjës kanë realizuar një nga operacionet më të mëdha antidrogë në historinë e vendit, duke sekuestruar rreth 30 ton kokainë në anijen Arconian me flamur të Ishujve Komoro.

Operacioni u zhvillua nga Guardia Civile në bashkëpunim me autoritetet amerikane dhe holandeze, ndërsa vlera e ngarkesës së drogës llogaritet në mbi 812 milionë euro, ose rreth 956 milionë dollarë.

Sipas hetimeve paraprake, kokaina ishte e ndarë në rreth 1.200 pako dhe dyshohet se do të transferohej në det përmes mjeteve të shpejta lundruese, për t’u futur më pas në territorin spanjoll.

Gjatë kontrollit në bord, autoritetet zbuluan edhe armë zjarri dhe municione, duke rritur dyshimet për përfshirjen e organizatave të fuqishme kriminale ndërkombëtare.

Në anije ndodheshin 17 anëtarë ekuipazhi nga Filipinet, ndërsa gjashtë persona të tjerë, të fshehur në bord, rezultuan shtetas të Holandës dhe Surinamit.

Autoritetet spanjolle kanë vendosur paraburgim pa të drejtë lirimi me kusht për të gjithë të arrestuarit, duke argumentuar se ekziston rrezik i lartë arratisjeje dhe vijimi të aktivitetit kriminal.

Ndërkohë, hetimet vijojnë për të identifikuar të gjithë rrjetin ndërkombëtar të trafikut të drogës dhe lidhjet e mundshme me grupet kriminale që operojnë në Europë dhe Amerikën Latine.