Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria është e gatshme të ulet me opozitën për të diskutuar Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale, por paralajmëroi se “imponimet dhe ultimatumet” nuk funksionojnë me të.
Komentet Rama i bëri gjatë një konference të përbashkët në Ditën e Europës me ambasadorin e Bashkimi Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato.
Kreu i qeverisë hodhi poshtë pretendimet e opozitës se procesi i integrimit të Shqipërisë në BE është bllokuar për shkak të diskutimeve mbi raportin e IBAR, duke i cilësuar këto deklarata si “shitje ajri”.
“Sot Shqipëria negocion me Komisionin Europian dhe jo me shtetet anëtare. Të thuash se procesi u bllokua nga ky apo ai shtet është të shesësh ajër”, deklaroi Rama.
Ai sqaroi se negociatat zhvillohen fillimisht me Komisioni Evropian, i cili më pas ua paraqet progresin shteteve anëtare të BE-së.
Sa i përket reformës zgjedhore, Rama u shpreh i hapur për dialog me opozitën, por pa kushte të paracaktuara.
“Ne jemi të hapur të dëgjojmë këdo që ulet në tryezë për të folur dhe dëgjuar. Por imponimet, ultimatiumet dhe qëndrimet e paracaktuara nuk funksionojnë me mua dhe me ne”, u shpreh ai.
Kryeministri konfirmoi gjithashtu qëndrimin e tij për uljen e numrit të deputetëve në Kuvend deri në 100 mandate, duke thënë se mazhoranca është e interesuar për racionalizimin e parlamentit dhe pret konsensus politik për këtë çështje.
Rama foli edhe për reformën administrativo-territoriale, duke theksuar se procesi po zhvillohet me konsultime dhe dëgjesa në të gjithë vendin.









