Duka zbulon detaje për Maran – Paga e trajnerit kuqezi në nivele rekord

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka zbuluar detaje të reja lidhur me kontratën e trajnerit të ri të Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, duke sqaruar edhe çështjen e pagës së tij.

Në një intervistë televizive, Duka u shpreh se Maran përfiton një pagë të ngjashme me atë të paraardhësit Sylvinho, madje me një diferencë të vogël në rritje, duke hedhur poshtë zërat për shifra më të ulëta që kanë qarkulluar në media.

Ai theksoi se trajneri i ri i kuqezinjve është ndër më të paguarit në historinë e Kombëtares, edhe pse sipas tij shifrat nuk arrijnë nivelin e 1 milion eurove në vit, pa përfshirë stafin teknik.

“Paga e Maran është në të njëjtat nivele me atë të Sylvinhos, ndoshta pak më e lartë në përqindje. Janë abuzime të shumta që qarkullojnë në media për shifrat”, u shpreh Duka.

Sipas tij, as trajneri i mëparshëm nuk ka përfituar shuma që janë përmendur publikisht, duke theksuar se kontratat mbeten në një nivel financiar të kontrolluar nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Deklaratat e Dukës kanë rikthyer vëmendjen te financat e Kombëtares dhe investimet e FSHF-së në stafin teknik, në prag të objektivave të ardhshëm ndërkombëtarë të Shqipërisë.