Paralajmërim i ashpër nga Garda Revolucionare e Iranit: “Bregdetin do ta kthejmë në varrezë për agresorët”

Një zyrtar i lartë i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit ka lëshuar një deklaratë të fortë paralajmëruese, duke kërcënuar se çdo sulm ndaj vendit do të përballet me përgjigje të ashpër ushtarake.

Sipas agjencisë gjysmëzyrtare iraniane të lajmeve Tasnim, zëvendësshefi politik i Marinës së Gardës Revolucionare, Mohammad Akbarzadeh, ka deklaruar se një luftë e re me Shtetet e Bashkuara konsiderohet e pamundur, duke e lidhur këtë me, siç tha ai, “dobësinë e kundërshtarit”.

Megjithatë, ai theksoi se forcat iraniane mbeten në gatishmëri të plotë dhe të përgatitura për çdo skenar të mundshëm sulmi, duke paralajmëruar një reagim të ashpër ndaj çdo ndërhyrjeje.

“Mos dyshoni se do ta shndërrojmë zonën nga Çabahari deri në Mahshahr në një varrezë për agresorët”, u shpreh Akbarzadeh, duke iu referuar hapësirave strategjike përgjatë bregdetit jugor të Iranit.

Deklarata vjen në një kohë tensionesh të larta në rajon, ku retorika mes Teheranit dhe Uashingtonit vijon të mbetet e ashpër, ndërsa situata e sigurisë në Lindjen e Mesme mbetet e brishtë.