Arsenali “injoron” Champions – fiton bindshëm dhe shkëputet nga Man City

Arsenalin duket se nuk e ka shpërqendruar aspak sfida e rëndësishme ndaj Atletico Madrid në UEFA Champions League, pasi në kampionat ka dhënë një tjetër sinjal force.

Skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta ka marrë një fitore të pastër 3-0 ndaj Fulham në shtëpi, duke dominuar takimin që në minutat e para.

Protagonist i ndeshjes ishte Viktor Gyökeres, i cili realizoi dy gola, ndërsa rrjetën e gjeti edhe Bukayo Saka. Të tre golat erdhën në pjesën e parë, duke mbyllur praktikisht ndeshjen që herët.

Ky sukses i jep mundësinë Arsenalit të shkëputet me 6 pikë nga Manchester City në krye të renditjes, edhe pse “qytetarët” kanë dy ndeshje më pak të zhvilluara. Presioni tashmë kalon te skuadra e Pep Guardiola, e cila duhet të reagojë për të mbajtur hapin në garën për titull.

Ndërkohë, Arsenali hyn me moral të lartë në përballjen europiane, duke treguar se është në formë optimale në momentin më vendimtar të sezonit.