Një ngjarje alarmante është regjistruar në Austri, ku një burrë 39-vjeçar është arrestuar pasi dyshohet se ka hedhur qëllimisht helm për minj në produkte ushqimore për foshnje të kompanisë HiPP, me synimin për të zhvatur para.
Sipas prokurorisë në Eisenstadt, i dyshuari akuzohet për ndërhyrje kriminale në produkte që janë shpërndarë edhe jashtë Austrisë. Autoritetet konfirmuan se të paktën pesë kavanoza të kontaminuara janë identifikuar në Austri, Republika Çeke dhe Sllovaki.
Në një nga produktet – një kavanoz 190 gramësh me karrota dhe patate – janë zbuluar rreth 15 mikrogramë helm për minj. Hetimet vijojnë edhe për një rast tjetër të dyshuar, ndërsa autoritetet po punojnë për të verifikuar nëse ka produkte të tjera të prekura.
Kompania HiPP ka reaguar duke theksuar se incidenti nuk ka lidhje me procesin e prodhimit, por është rezultat i një “ndërhyrjeje të jashtme kriminale”. Sipas saj, një javë më parë kishte marrë një e-mail kërcënues nga i dyshuari, i cili kërkonte para në këmbim të ndalimit të kontaminimit.
Pas marrjes së mesazhit, kompania njoftoi menjëherë autoritetet dhe aktivizoi mekanizmat e menaxhimit të krizës. Ndërkohë, hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të garantuar sigurinë e konsumatorëve.









