Skandal në Fier – Polici dërgohet në gjyq; akuzohet se përdorte të mitur për shitje droge

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim një punonjës policie, i identifikuar me inicialet B.D., i cili akuzohet për përfshirje në aktivitet kriminal të lidhur me lëndët narkotike.

Sipas organit të akuzës, efektivi i policisë, pjesë e Njësisë së Posaçme “Shqiponja”, dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke rekrutuar një të mitur, të identifikuar si E.H., për ta përdorur në shpërndarjen e drogës.

Hetimet kanë zbuluar se i mituri, i cili ishte përdorues i lëndëve narkotike dhe në kushte të vështira sociale, fillimisht është afruar nga polici me pretekstin e bashkëpunimit për informacione, por më pas është përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në shitjen e narkotikëve.

Prokuroria thekson se veprimet e të pandehurit janë kryer me dashje dhe përbëjnë disa vepra penale, përfshirë “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”, “Shpërdorim detyre” dhe “Shtytje të të miturit në krim”, të parashikuara nga Kodi Penal.

Sipas hetimeve, këto veprime kanë cenuar jo vetëm interesat e shtetit dhe rendin publik, por edhe sigurinë dhe mirëqenien e të miturit të përfshirë në këtë aktivitet.

Autoritetet kanë theksuar angazhimin për të ndjekur penalisht çdo punonjës publik që shkel ligjin, veçanërisht në raste që përfshijnë abuzimin me të miturit dhe cenimin e sigurisë publike.