Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka paralajmëruar një seri përballjesh të drejtpërdrejta në Kuvendin e Shqipërisë me katër ministra të së njëjtës mazhorancë, përmes kërkesave për interpelancë në seancën plenare të radhës.
Lajmin e ka bërë publik vetë Braçe përmes një reagimi në rrjetet sociale, ku thekson se këto interpelanca lidhen me disa nga problematikat më të ndjeshme dhe të diskutuara së fundmi në vend.
Një nga çështjet kryesore që pritet të ngrihet në Kuvend lidhet me sigurinë në ndërtim, pas zjarrit të rëndë që përfshiu kompleksin Kompleksi Arlis në Tiranë, ku dhjetëra apartamente u shkrumbuan dhe banorët mbetën pa strehë. Në këtë kuadër, Braçe synon të kërkojë llogari për standardet e ndërtimit dhe kushtet e sigurisë, si dhe për situatën e zjarrfikësve që ndërhynë në operacion.
Një tjetër interpelancë do të fokusohet te trajtimi i kafshëve nga njësitë vendore, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si përdoren fondet publike për këtë qëllim dhe standardet e kujdesit ndaj tyre.
Po ashtu, deputeti socialist pritet të kërkojë sqarime edhe për çështjen e ndotjes së ujërave, një problematikë që prek drejtpërdrejt shëndetin publik dhe mjedisin.
Kjo lëvizje e Braçes shihet si një sinjal kritik brenda vetë mazhorancës, duke reflektuar tensione dhe kërkesë për më shumë llogaridhënie institucionale, edhe mes përfaqësuesve të së njëjtës forcë politike.
Aktivizimi i deputetit socialist në polemika me qeverinë e partisë së tij, e kapërcen mërzitjen apo qejfmbetjen personale duke lënë të kuptohet se ky qëndrim i tij mund të jetë ashtu siç flitet në mjediset e mazhorancës se Braçe është një eksperiment i vetë kryeministrit për ta sfumuar opozitën politike, nga ajo e 11 Majit 2025, në opozitë brenda vetes, më saktë brenda së majtës.
Ja postimi i deputetit Erjon Braçe: 👉 https://www.facebook.com/share/v/1E9sQPxZ4U/?mibextid=wwXIfr









