Sali Berisha, ka bërë thirrje publike për mobilizim qytetar në një protestë kombëtare, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku për abuzime me pushtetin dhe ndërhyrje në drejtësi.
Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se protesta, e parashikuar të zhvillohet në orën 19:00, synon të jetë një reagim qytetar ndaj asaj që ai e cilëson si “regjim” dhe presion ndaj institucioneve. Ai i bëri thirrje qytetarëve të dalin nga “frika dhe konformizmi” dhe të bashkohen në atë që e quajti një “kryengritje paqësore”.
Sipas tij, kryeministri Rama ka përdorur shumicën parlamentare për të mbrojtur veten dhe bashkëpunëtorët e tij, duke penguar procese që lidhen me hetime dhe çështje të drejtësisë, përfshirë edhe çështje që prekin zëvendëskryeministren Balluku.
Berisha hodhi akuza të forta për korrupsion dhe keqpërdorim të fondeve publike, duke pretenduar se në dosje të caktuara hetimore përfshihen shifra të konsiderueshme financiare dhe përgjegjësi të niveleve të larta të qeverisë.
Nga ana tjetër, këto deklarata mbeten në kuadër të qëndrimeve politike dhe nuk janë konfirmuar nga institucionet përkatëse. Ndërkohë, protesta e paralajmëruar pritet të zhvillohet në kryeqytet dhe në qytete të tjera të vendit, në një klimë të tensionuar politike.
Pjese nga fjala e Berishes:
Sot, në ora 19:00, qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë ngrihen në kryengritjen e tyre paqësore më të fuqishme që ka njohur Shqipëria. Ngrihen mbi dhunën, terrorin e regjimit, e klaneve të drogës, e policisë politike të patronazhistëve, kërcënimeve të tyre. Ngrihen për të mbrojtur interesat më jetike të vetat, të qytetarëve shqiptarë.
Ngrihen për të mbrojtur dinjitetin, nderin e çdo shqiptari ndaj një agresioni të rëndë të një organizate kriminale të kryesuar nga Edi Rama, që më së fundi, duke hequr çdo maskë, përdori 83 mandatet e krimit për të mbrojtur vjedhjet e tij të pallogaritshme, dhe të Lubi Ballukut.
Akti i fundit i Edi Ramës është akti më armiqësor që ai ka ndërmarrë në serinë e akteve armiqësore ndaj shtetit ligjor, demokracisë në Shqipëri. Bllokimi i heqjes së imunitetit dhe arrestimit të Lubi Ballukut nga Edi Rama ishte një mburojë për veten e tij, pasi në dosjen Balluku, Edi Rama është aksioner të paktën me 60 përqind të veprave kriminale që mban ajo dosje në total 1.2 miliardë euro.
Qytetarët shqiptarë kanë sot 1001 motive për të dalë nga guaska e konformizmit dhe e frikës, për t’u bashkuar me ne në kryengritjen tonë paqësore.









