Vatikani ka reaguar për herë të parë pas deklaratave të forta të presidentit amerikan Donald Trump ndaj Papa Leone XIV, duke theksuar dallimet thelbësore në mënyrën e komunikimit dhe qasjes ndaj çështjeve globale.
Përmes një deklarate publike, prifti dhe zyrtari i lartë i Selisë së Shenjtë, Antonio Spadaro, u shpreh se Trump përdor një gjuhë konfrontuese sepse nuk është në gjendje të zhvillojë një debat real me Papën.
“Trump nuk debaton me Leonin, por kërkon ta tërheqë në një gjuhë që ai mund ta dominojë. Papa flet një gjuhë tjetër, që nuk reduktohet në logjikën e forcës, sigurisë apo interesit kombëtar”, deklaroi Spadaro.
Reagimi vjen pasi Papa Leone XIV, i pari papë me origjinë amerikane, ka qenë gjithnjë e më kritik ndaj zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme, duke dënuar retorikën dhe kërcënimet ndaj Iranit si të papranueshme.
Nga ana tjetër, Donald Trump ka vijuar sulmet ndaj kreut të Kishës Katolike, duke deklaruar se nuk është “fans” i tij dhe duke e akuzuar për qëndrime të dobëta në çështjet e sigurisë dhe politikës së jashtme. Ai ka shkuar deri aty sa të pretendojë se Papa përfaqëson interesa të majta dhe se nuk mban një qëndrim të fortë ndaj rreziqeve globale.
Përplasja mes dy figurave të rëndësishme botërore reflekton një tension më të gjerë mes politikës dhe institucioneve fetare, në një moment kur situata ndërkombëtare mbetet e brishtë dhe e tensionuar.









