Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ashpërsuar tonet ndaj Papa Leone XIV, duke e kritikuar publikisht për qëndrimet e tij dhe duke vënë në dyshim edhe vetë zgjedhjen në krye të Kishës Katolike.
Në një reagim në rrjetin e tij social, Trump e cilësoi Papën si “të dobët” dhe kritik ndaj politikave të tij, sidomos në çështjet e sigurisë dhe politikës së jashtme. Ai akuzoi gjithashtu kreun e Vatikanit se nuk ka mbajtur qëndrim për kufizimet ndaj praktikave fetare gjatë pandemisë.
“Nuk jam fans i Papa Leos”, tha Trump.
Presidenti amerikan shkoi edhe më tej, duke deklaruar se zgjedhja e Papa Leone XIV ishte e papritur dhe, sipas tij, e lidhur me faktin që ai është amerikan. “Nëse unë nuk do të isha në Shtëpinë e Bardhë, ai nuk do të ishte në Vatikan”, u shpreh Trump, duke sugjeruar ndikim indirekt në përzgjedhjen e tij.
Komentet e forta të Trump vijnë në një moment tensioni të lartë ndërkombëtar, pas dështimit të negociatave mes SHBA-së dhe Iranit në Islamabad. Presidenti amerikan deklaroi se nuk i intereson nëse Teherani rikthehet në tryezën e bisedimeve, duke theksuar se SHBA nuk do të lejojë Iranin të zhvillojë armë bërthamore.
Ndërkohë, situata është përshkallëzuar më tej me vendimin e Uashingtonit për të nisur një bllokadë detare në Ngushtica e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme për tregtinë globale të energjisë.
Nga ana tjetër, Irani ka reaguar ashpër, duke paralajmëruar se çdo prani ushtarake në zonë do të përballet me kundërpërgjigje, ndërsa akuzon SHBA-në për ndryshim të vazhdueshëm të kushteve gjatë negociatave.
Këto zhvillime sinjalizojnë një përkeqësim të mëtejshëm të klimës ndërkombëtare, me tensione që shtrihen nga Lindja e Mesme deri në marrëdhëniet mes politikës dhe institucioneve fetare globale.









